Një deklaratë e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, për motorët amerikanë të avionit të ri luftarak KAAN ka ndezur debate të forta në Turqi. Gjatë një interviste në Nju Jork, Fidan tha se “po presim motorët që të nisë prodhimi i KAAN”, fjali që u interpretua si goditje ndaj narrativës së qeverisë për një avion “plotësisht vendas dhe kombëtar”.
Videoja e publikuar rastësisht
Çështja mori përmasa më të mëdha pas publikimit të një videoje të regjistruar aksidentalisht nga kamera e Associated Press jashtë Shtëpisë së Bardhë. Në të dëgjohen dy gazetarë turq, mes tyre Huseyin Günay i NTV, duke diskutuar se Fidan “e përmendi qëllimisht” çështjen e motorëve për shkak të garës së brendshme për pasardhësin e presidentit Rexhep Tajip Erdogan.
Në bisedën e përgjuar, Günay përmend presionin mbi Fidanin në Ankara dhe një përplasje mes tre grupeve kryesore të pushtetit: Fidanit, dhëndrit të Erdoganit Berat Albayrak dhe djalit të tij Bilal. Videoja, e publikuar nga një media pro-qeveritare, shkaktoi tronditje dhe shtoi spekulimet për rivalitetet e brendshme në elitën turke.
Reagimet në shtyp
Kryeredaktori i Milliyet, Ozay Sedir, u përpoq të zbusë reagimet duke kujtuar se përdorimi i motorëve të huaj në fazat e para të prototipeve është praktikë normale ndërkombëtare. Por vetë gazeta pranoi se “do të ishte më mirë sikur Fidan të mos e kishte theksuar publikisht këtë çështje”.
Kreu i Drejtorisë së Industrisë së Mbrojtjes, Haluk Gürgün, theksoi se “e ardhmja e KAAN nuk varet nga një motor i vetëm”, ndërsa gazetari i Cumhuriyet, Baris Terkoglu, argumentoi se edhe pse deklarata e Fidanit ishte e vërtetë, ajo u konsiderua një “gabim politik” që nxori në pah luftën për pushtet brenda qeverisë.
Komentatori Cem Küçük i TGRT shtoi se edhe vetë Erdogani ishte informuar gabimisht, duke besuar se 45 avionët e parë do të pajiseshin me motorë vendas, ndërkohë që Ankaraja ka siguruar tashmë 90 motorë amerikanë F110, të përdorur edhe në F-16.
Dimensioni ndërkombëtar
Reagime pati edhe jashtë Turqisë. Deputeti grek i Demokracisë së Re, Angelos Syrigos, deklaroi se mosaprovimi i Hakan Fidan nuk është i rastësishëm dhe lidhet me skenarët për një largim të afërt të Erdoganit nga pushteti. Ai kujtoi gjithashtu se muajt e fundit në Turqi janë shfaqur publikime mbi vlefshmërinë e diplomës së Fidanit – një element i rëndësishëm, pasi pa diplomë universitare nuk mund të kandidohet për president.
Sipas Syrigos, fakti që Fidan “nuk flet kurrë rastësisht” e bën këtë deklaratë jo vetëm çështje teknike për motorët e KAAN, por edhe një sinjal politik në garën e brendshme për pushtet.