Irani ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, duke paralajmëruar se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit.

Komanda e Forcave të Armatosura iraniane u bëri gjithashtu thirrje vendeve të rajonit të mos ofrojnë mbështetje për operacionet ushtarake amerikane, duke paralajmëruar se një veprim i tillë do të konsiderohej kërcënim ndaj sovranitetit të Iranit.

“Ne nuk lejojmë dhe nuk do të lejojmë që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Ebrahim Zolfaghari, zëdhënës i selisë qendrore “Khatam al-Anbiya” të Forcave të Armatosura iraniane.

Sipas tij, forcat iraniane do të reagojnë “me ashpërsi” ndaj çdo ndërhyrjeje apo veprimi që cenon sigurinë në këtë korridor strategjik detar.

Zolfaghari theksoi se çdo bashkëpunim i vendeve të rajonit me SHBA-në, përfshirë mbështetjen logjistike për forcat amerikane, do të konsiderohet një veprim kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit.

“Çdo bashkëpunim me SHBA-në dhe mbështetje logjistike për ushtrinë e atij vendi do të konsiderohet një luftë kundër sovranitetit dhe sigurisë kombëtare të Iranit”, deklaroi ai, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i konfliktit mund të përfshijë të gjithë rajonin.

Reagimi i Teheranit vjen menjëherë pasi Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara mund të marrin nën kontroll Ngushticën e Hormuzit dhe se Uashingtoni duhet të kompensohet për garantimin e sigurisë në këtë rrugë ujore strategjike.

“Ne do ta mbajmë ngushticën dhe ndoshta do ta menaxhojmë atë. Do të jemi rojet e ngushticës dhe duhet të kompensohemi për këtë”, u shpreh Trump në një intervistë për Fox News.