Një delegacion ukrainas është nisur drejt Shteteve të Bashkuara për bisedime të reja mbi paqen, në kuadër të përgatitjeve për Forumin Ekonomik Botëror që do të mbahet javën e ardhshme në Davos.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky shprehu shpresën se garancitë e sigurisë nga SHBA-ja do të nënshkruhen gjatë takimeve në Davos.
“Shpresoj që garancitë e sigurisë së SHBA-së të nënshkruhen në Davos”, deklaroi ai gjatë një konference për shtyp të përbashkët me presidentin çek, Petr Pavel.
Sipas raportimeve, Zelensky theksoi se Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk ndajnë gjithmonë të njëjtat qëndrime për disa çështje, por e cilësoi këtë si të kuptueshme.
“Nuk jemi gjithmonë në të njëjtën anë për disa çështje. Kjo është e kuptueshme, sepse unë mbroj interesat e shtetit tonë”, tha ai, duke shtuar se megjithatë bashkëpunimi me Uashingtonin ka qenë “shumë i mirë”.
Ai bëri të ditur se Kievi pret që dokumentet që lidhen me garancitë e sigurisë dhe të ashtuquajturën “Paketë e Prosperitetit” të nënshkruhen gjatë takimeve në Davos, në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror.
