Disa tornado kanë goditur pjesën veriore të Oklahomas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme dhe duke lënë persona të bllokuar nën rrënoja.
Mediat e huaja shkruajnë se autoritetet lokale në Enid kanë nisur operacione kërkim-shpëtimi. Sipas raportimeve, tornadot kanë shkatërruar plotësisht disa shtëpi dhe kanë lënë pas një sasi të madhe mbeturinash. Zonat më të prekura përfshijnë lagjet Gray Ridge dhe Vance Air Force Base.
Policia në Enid ka ngritur një qendër komande dhe ka angazhuar forca shtesë për të përballuar situatën emergjente.
Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar disa paralajmërime për tornado dhe stuhi të fuqishme në qarqet Garfield County, Kay County, Noble County dhe Logan County.
Stuhitë pritet të shoqërohen me breshër të madh dhe erëra të forta deri në 96 km/h.
Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve në zonat e prekura të strehohen dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, ndërsa disa rrugë janë mbyllur për shkak të dëmtimeve.
Situata mbetet dinamike, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë punën për të shpëtuar personat e bllokuar dhe për të vlerësuar dëmet.

