Prej 22 prillit nuk ka më asnjë lajm për Elisabetta Ferretto, ish-modele dhe sipërmarrëse italiane 50-vjeçare, e njohur edhe për dëshmitë e saj publike mbi abuzimet e famëkeqit Jeffrey Epstein.
Sipas “Il Messaggero”, heshtja ka alarmuar familjen, e cila ka raportuar zhdukjen e 50-vjeçares në prokurorinë e Rovigos, në Itali. Çështja tashmë po ndiqet edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme italiane, e cila ka nisur kontaktet me autoritetet amerikane për të verifikuar vendndodhjen e saj.
Sipas raportimeve të mediave italiane, kontakti i fundit me të ka qenë pikërisht 22 prilli.
Pak ditë para zhdukjes, ajo kishte vizituar familjen në Veneto, në zonën e Montagnanës (Padova), përpara se të kthehej në Nju Jork. Pas kthimit, komunikimi është ndërprerë plotësisht, telefonatat nuk marrin përgjigje dhe edhe rrjetet e saj sociale janë çaktivizuar ose fshirë.
Elisabetta Ferretto është bërë e njohur si një nga gratë që kanë folur publikisht për përvojat e tyre me Jeffrey Epstein, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në Nju Jork në vitin 2019. Ajo ka rrëfyer më herët se ishte larguar nga ambienti i tij pasi kishte refuzuar një sjellje të papërshtatshme.
Sipas dëshmive të saj të mëparshme, rruga drejt SHBA-së kishte nisur në vitin 2001 me synimin për të ndërtuar karrierë në industrinë e modës. Më vonë, përmes një agjenti, i ishte prezantuar mundësia për takime që supozohej se do t’i hapnin dyert drejt pasarelave të njohura, përfshirë Victoria’s Secret, por që sipas saj e kishin çuar në kontakt me Epstein.
Në rrëfimet e saj, ajo ka treguar se gjatë një takimi në rezidencën e tij në Nju Jork, situata kishte marrë një kthesë të papritur dhe shqetësuese, pas së cilës ajo kishte arritur të largohej dhe të mos kthehej më.
Aktualisht, autoritetet italiane dhe amerikane po bashkëpunojnë për të zbardhur fatin e saj, ndërsa familja kërkon çdo informacion të mundshëm mbi zhdukjen e 50-vjeçares. Rrethanat mbeten ende të paqarta dhe nën hetim.
