Pas një takimi me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Presidenti amerikan Donald Trump ka ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Presidentit rus, Vladimir Putin. Në rrjetin e tij social Truth Social, Trump paralajmëroi se Rusia mund të përballet me sanksione të reja.

Shkak për këtë ndryshim u bënë sulmet e fundit me raketa ndaj zonave civile në Ukrainë, të cilat, sipas Trump, tregojnë se Putin nuk ka interes të përfundojë luftën. “Po vdesin shumë njerëz dhe kjo më bën të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta përfundojë luftën, por thjesht të më mbajë të zvarritur mua,” shkroi Trump. Ai sugjeroi gjithashtu që ndaj Rusisë të merren masa më të ashpra, si sanksione në sektorin bankar apo sanksione dytësore.

Takimi mes Trump dhe Zelenskyt u zhvillua në Romë, gjatë ceremonive mortore për Papa Françeskun. Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin si “shumë produktiv”, ndërsa edhe Zelensky u shpreh pozitiv, duke e quajtur bisedën “simbolike”.

“Patëm mundësi të diskutonim kokë më kokë. Shpresojmë që nga ato që folëm të ketë rezultate konkrete,” tha Trump pas takimit.

Diskutimet përfshinë çështje të mbrojtjes së civilëve ukrainas, arritjen e një armëpushimi të plotë dhe pa kushte, si dhe sigurimin e një paqeje të qëndrueshme. Takimi mes dy liderëve zgjati rreth 15 minuta. Zelensky kishte paralajmëruar më herët se gjatë qëndrimit në Romë do të zhvillonte edhe takime të tjera për të shtyrë përpara përpjekjet për armëpushim.