Një procedurë ekzekutimi në Tenesi të Shteteve të Bashkuara është ndërprerë pasi Christa Pike, e dënuar me vdekje për një vrasje të kryer në vitet ’90, vazhdoi të shfaqte shenja jetësore pas administrimit të medikamentit të parashikuar për injeksionin vdekjeprurës.

50-vjeçarja u dërgua më pas në spital, ndërsa përfaqësuesit e saj ligjorë kërkuan ndërhyrje të menjëhershme për të penguar vazhdimin e procedurës.

Sipas versionit të paraqitur nga avokatët e Pike, gjatë ekzekutimit asaj iu administruan dy doza pentobarbitali. Megjithëse kishte humbur ndjenjat, zemra e saj vijonte të rrihte dhe, sipas tyre, mund të dëgjohej ende duke marrë frymë.

Një prej avokatëve deklaroi për BBC se Pike ishte transportuar në një strukturë spitalore, ku po merrte ndihmë mjekësore.

Rasti i saj lidhet me një prej krimeve më të njohura të viteve ’90 në Tenesi.

Pike ishte vetëm 18 vjeçe kur ndodhi vrasja e Colleen Slemmer, 19 vjeçe. Dy vajzat ishin njohur në një program trajnimi për të rinj me probleme.

Sipas dosjes gjyqësore, Pike, së bashku me të dashurin e saj të atëhershëm, Tadaryl Shipp, e sulmuan Slemmer dhe e torturuan përpara se ta vrisnin.

Procesi penal përfundoi në vitin 1996 me shpalljen fajtore të Pike dhe dënimin e saj me vdekje.

Familja e viktimës kishte kërkuar prej kohësh që dënimi të ekzekutohej. Nëna e Colleen Slemmer, May Martinez, kishte deklaruar më herët për Associated Press se vrasja e së bijës vazhdonte ta përndiqte edhe dekada më vonë.

Ajo kishte treguar se mendonte vazhdimisht për minutat e fundit të jetës së vajzës së saj dhe për përpjekjet që 19-vjeçarja kishte bërë për t’u larguar nga agresorët.

Zhvillimet gjatë ekzekutimit të Pike pritet të hapin tashmë një tjetër kapitull ligjor, pasi avokatët e saj kanë kërkuar ndalimin e procedurës pas komplikacioneve të raportuara gjatë administrimit të injeksionit.