Procesi i zgjedhjes së Papës së ri vazhdon në Vatikan, ndërsa tymi i zi që u ngrit nga oxhaku i Kapelës Sistine këtë mesditë tregoi se ende nuk është arritur një vendim.

Pamjet drejtpërdrejt nga Selia e Shenjtë treguan re të zeza tymi që dolën nga oxhaku, një sinjal i qartë se asnjë kandidat nuk ka arritur shumicën e nevojshme të votave nga kolegji i kardinalëve për t’u shpallur Papë.

Qindra njerëz të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit prisnin me padurim shenjën e bardhë që do të nënkuptonte se Kisha Katolike ka një lider të ri, por për momentin, pritja vazhdon. Emocionet dhe entuziazmi janë të dukshme në shesh, ndërsa sytë janë ngulur te oxhaku i famshëm i Kapelës Sistine, i transmetuar vazhdimisht në ekranet gjigande dhe në platformat online.

Sistemi i sinjalizimit përmes tymit është mënyra e vetme për publikun që të kuptojë rrjedhën e procesit konklavor. Tymi i zi nënkupton që nuk ka ende një rezultat, ndërsa tymi i bardhë shpall zgjedhjen e Papës së ri. Oxhaku ushqehet nga dy furra njëra djeg fletët e votimit dhe tjetra prodhon tym të bardhë ose të zi me ndihmën e kimikateve.

Kjo është dita e dytë e konklavit, dhe deri tani janë zhvilluar disa raunde votimesh. Nëse nevojitet, kardinalët do të vazhdojnë me dy raunde të tjera votimi në orët e pasdites, përkatësisht në 17:30 dhe 19:00 me orën lokale.

Historikisht, konklavi për zgjedhjen e Papës nuk zgjat shumë. Në vitin 2013, Papa Françesku u zgjodh pas pesë votimesh në dy ditë. Në vitin 2005, Papa Benedikti XVI u zgjodh pas katër votimesh, ndërsa zgjedhja e Gjon Palit II në vitin 1978 zgjati tre ditë dhe kërkoi tetë raunde votimi.

Mesatarisht, në kohët moderne, procesi zgjat rreth tre ditë dhe kërkon rreth shtatë votime.

Për momentin, bota vijon të presë me ankth, me shpresën që së shpejti oxhaku i Kapelës Sistine të nxjerrë tym të bardhë.