“Dështuam, kjo është e sigurt.”
Me këtë frazë, ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, pranoi të hënën në mëngjes, gjatë një interviste për radion France Inter, paaftësinë e shtetit për të parandaluar grabitjen e madhe hollivudiane në Muzeun e Luvrit.
“Autoritetet dështuan të parandalonin grabitjen dhe vjedhjen e tetë bizhuterive mbretërore. Kjo ngjarje dërgon një imazh shumë negativ të Francës në mbarë botën. E vetmja gjë e sigurt është se kemi dështuar, sepse kriminelët arritën të nxjerrin një ashensor ngarkesash në rrugë publike, të ngjiten dhe brenda pak minutash të vjedhin bizhuteri me vlerë të paçmuar”- tha ai.
Ministrja e Kulturës, Rachida Dati nuk përjashtoi mundësinë që në këtë ngjarje të jetë përfshirë edhe një shtet i huaj. Sipas saj, prokurori që po drejton hetimet nuk përjashton asnjë pistë, përfshirë edhe atë që e lidh grabitjen me ndërhyrjen e ndonjë vendi të huaj.
“Të gjithë ishin të tronditur dhe të prekur. pasi kjo prek kulturën, trashëgiminë tonë të përbashkët, kohezionin dhe vlerat tona kulturore”-, shtoi Dati, duke krahasuar grabitjejn me zjarrin e Notre Dame në vitin 2019.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi të dielën, kur katër grabitës u ngjitën me shkallë në ndërtesën ikonike të Muzeut të Luvrit dhe, brenda vetëm shtatë minutash, vodhën bizhuteri me vlerë të paçmueshme nga Galeria e Apollonit, ku ruhen thesaret mbretërorë të Francës.
Grupi i organizuar i katër personave hyri përmes një dritareje në katin e parë, duke përdorur një shkallë elektrike nga ana e lumit Seinë, në shëtitoren “François Mitterrand”. Pasi thyen një derë dhe dy vitrina të blinduara, ata morën tetë objekte të “vlerës së paçmueshme kulturore”, sipas Ministrisë së Kulturës.
Ndër objektet e vjedhura janë gjerdani me safirë që i përkiste mbretëreshës Maria-Amalia dhe Hortense, me 8 safirë dhe 631 diamante, karfica e perandoreshës Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III, e zbukuruar me rreth 2.000 diamante.
Megjithatë, grabitësit lanë pas kurorën e perandoreshës Eugénie, me 1.354 diamante dhe 56 smeralde, për shkak të ndërhyrjes së menjëhershme të rojeve. Kurora u rikuperua, por pësoi dëmtime.