Autoritetet në Letoni kanë nisur hetimet për vdekjen e gazetarit rus në mërgim Grigory Nekhoroshev, i cili dyshohet se ka humbur jetën pas konsumimit të kërpudhave helmuese.

Sipas mediave vendase, 69-vjeçari është gjetur i pajetë në banesën e tij në Riga, ku kishte jetuar prej më shumë se një dekade. Dyshohet se ai kishte konsumuar kërpudha të egra të mbledhura nga kopshti i tij, të cilat mund të kenë rezultuar fatale, pavarësisht se njihej si një mbledhës me përvojë.

Grigory Nekhoroshev ka qenë redaktor i gazetës ruse Moskovsky Korrespondent, e cila në vitin 2008 publikoi një artikull që shkaktoi reagime të forta politike në Moskë, duke pretenduar për një lidhje mes presidentit rus Vladimir Putin dhe gjimnastes olimpike Alina Kabaeva. Pas këtij publikimi, gazeta u mbyll dhe gazetari u përball me presion dhe kërcënime, sipas raportimeve.

Autoritetet letoneze kanë urdhëruar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa hetimet vijojnë ende.