Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga sulmi vdekjeprurës që ndodhi të enjten në mëngjes në një sinagogë në zonën Crumpsall të Mançesterit, në ditën më të shenjtë të kalendarit hebraik – Yom Kippur.
Sipas “Daily Mail” dhe “Sky News”, një burrë i armatosur me thikë dhe i veshur me një rrip që dyshohet se përmbante eksploziv, drejtoi makinën e tij drejt një turme njerëzish jashtë Sinagogës së Komunitetit Hebraik, përpara se të godiste me thikë një roje sigurie dhe të tjerë përreth.
Policia konfirmoi vdekjen e dy personave dhe të vetë sulmuesit, i cili u qëllua nga forcat speciale në vendngjarje. Katër të tjerë mbeten në gjendje të rëndë.
Dëshmitarët përshkruan momentet si kaotike dhe “robotike”, me sulmuesin që “shënjestronte çdokënd që mbante kippah”. Sinagoga u izolua menjëherë dhe njerëzit brenda u evakuuan më vonë pasi njësia për çaktivizimin e bombave mbërriti në vend.
Policia britanike e shpalli incidentin si një “sulm terrorist agresiv”, duke aktivizuar kodin emergjent PLATO, që përdoret për ngjarje të nivelit më të lartë të rrezikut.
Kryeministri britanik është kthyer me urgjencë në vend, ndërsa liderë politikë, përfshirë Keir Starmer, dënuan ashpër aktin. Ambasada izraelite në Londër e cilësoi sulmin si “të tmerrshëm” dhe kërkoi që siguria e komuniteteve hebraike në Mbretërinë e Bashkuar të garantohet në maksimum.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të konfirmojnë identitetin dhe motivin e plotë të sulmuesit.