Detaje të reja janë zbarhdur nga ngjarja e tronditëse e ndohdur në Greqi ku një 55-vjeçar dyshohet se ka mbajtur trupin e babait të tij të vdekur në një frigorifer. Sipas mediave greke, djali mbajti për rreth 2.5 vjet trupin e të atit në frigorifer, për të vazhduar të merrte pensionin e tij dhe atë të nënës së ndjerë.

Sipas hetimeve paraprake, nëna e 55-vjeçarit kishte ndërruar jetë më herët, ndërsa pensioni i saj përfitohej nga bashkëshorti i saj, babai 90-vjeçar i të arrestuarit. Rasti u zbulua pasi autoritetet në Laconia morën informacion se 90-vjeçari, i lindur në vitin 1936, nuk ishte parë prej një kohe të gjatë. Gjatë hetimit, policia kontaktoi djalin e tij 55-vjeçar, i cili pretendoi se babai i tij ishte larguar dhe jetonte në Athinë.

Megjithatë, hetuesit verifikuan deklaratën e tij dhe kontaktuan motrën e 55-vjeçarit, e cila jeton në Athinë. Ajo u tha autoriteteve se nuk e kishte parë babanë e saj prej vitesh dhe se ai kishte jetuar me vëllain e saj. Pas këtyre dyshimeve, policia kreu një kontroll, në prani të prokurorit, në një hotel në pronësi të 55-vjeçarit. Objekti ishte i mbyllur dhe ai e përdorte si banesë.

Në bodrumin e hotelit, policia gjeti trupin e 90-vjeçarit brenda një frigoriferi dhe gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua edhe një armë. 55-vjeçari u arrestua dhe, gjatë marrjes në pyetje, dyshohet se ka pranuar ngjarjen. Ai ka deklaruar se babai i tij kishte ndërruar jetë rreth dy vjet e gjysmë më parë nga shkaqe natyrore dhe se e kishte fshehur trupin në frigorifer për të vazhduar marrjen e pensionit. Sipas deklarimeve të tij, ai përfitonte gjithashtu edhe pensionin e nënës së tij, i cili i kalonte babait të tij si përfitues.

Në vendngjarje mbërritën një mjek ligjor dhe një ekip i Zyrës së Hetimit Penal të Spartës. Për trupin është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes. Ndaj 55-vjeçarit janë ngritur akuza për dëshmi të rreme, mashtrim të përsëritur dhe shkelje të legjislacionit për armët. Ai pritet të dalë para prokurorit, ndërsa hetimet vijojnë nga autoritetet kompetente.