Një incident i rëndë është regjistruar gjatë fluturimit FZ1073 të Flydubai, nga Dubai drejt Tel Avivit, ku bashkëpiloti dyshohet se sulmoi kapitenin dhe tentoi të merrte kontrollin e avionit.
Prokurori i Përgjithshëm i Emirateve të Bashkuara Arabe, Hamad Saif al-Shamsi, e ka cilësuar zyrtarisht ngjarjen si një tentativë për “sulm terrorist”, sipas agjencisë shtetërore WAM.
Bashkëpiloti, i identifikuar si Hammam al-Hamami, shtetas i Omanit, dyshohet se përdori një sëpatë emergjence për të sulmuar kapitenin brenda kabinës së pilotimit. Pasagjerët dhe pjesëtarët e ekuipazhit ndërhynë për ta neutralizuar, ndërsa një pilot rezervë i Flydubai, që ndodhej në bord, mori kontrollin e avionit.
Avioni, me më shumë se 170 persona në bord, përfshirë shumicën pasagjerë izraelitë, u ul në aeroportin e Tabukut, në veriperëndim të Arabisë Saudite. Bashkëpiloti u arrestua menjëherë pas uljes.
Autoritetet izraelite kanë deklaruar se ekziston dyshimi se qëllimi i tij mund të ketë qenë rrëzimi i avionit. Ndërkohë, hetimet e udhëhequra nga Emiratet vijojnë për të zbardhur motivin, rrethanat e incidentit, të kaluarën e bashkëpilotit dhe çdo lidhje të mundshme me persona apo organizata të tjera.
Kjo është hera e parë që autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe e përshkruajnë zyrtarisht ngjarjen si një “sulm terrorist”.
Edhe Izraeli pritet të marrë pjesë në hetim. Një zyrtar izraelit ka bërë të ditur se hetuesit e vendit do të bashkëpunojnë me autoritetet e Emirateve për të përcaktuar se çfarë ndodhi në kabinën e pilotimit dhe cilat ishin motivet e bashkëpilotit.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se po shqyrtohet edhe mundësia që bashkëpiloti të ketë vepruar nën udhëzimet e palëve të treta. Sipas Netanyahut, ai ishte i përfshirë në një proces radikalizimi islamik dhe kishte tentuar të kryente vetëvrasje, ndërsa motivi përfundimtar i veprimeve të tij mbetet ende objekt hetimi.
Sëpata e përdorur në incident ishte pjesë e pajisjeve të emergjencës që mbahen në kabinën e pilotimit dhe përdoret në situata të jashtëzakonshme, përfshirë rastet pas një aksidenti.
