Prova të reja kanë dalë në dritë në hetimet për vrasjen e shtetases britanike, e cila u gjet e pajetë brenda një valixheje në zonën e Kypselit, në Greqi.

Sipas mediave greke, telefoni celular i viktimës ka qenë elementi kyç që çoi hetuesit drejt identifikimit të të dyshuarit. Pas vdekjes së gruas, pajisja rezulton të jetë përdorur nga 26-vjeçari i arrestuar. Hetimet treguan se telefoni u fik të mërkurën në mëngjes, ndërsa sinjali i fundit u regjistrua në zonën e Arachovës.

Nëpërmjet analizës së kamerave të sigurisë dhe gjurmimit të lëvizjeve të telefonit, policia arriti në një manastir në Kypseli, ku qëndronin gra me bindje të forta fetare. Aty u identifikua një shtetase britanike, e cila kishte një lidhje me 26-vjeçarin.

Fillimisht, ajo deklaroi se kishte qenë së bashku me të dyshuarin në Arachovë. Më pas, gjatë marrjes në pyetje, u shpreh se 26-vjeçari i kishte rrëfyer se kishte vrarë bashkëkombësen e saj, duke pretenduar se viktima fliste vazhdimisht për krishterimin dhe përpiqej ta ndikonte në aspektin fetar. Pas kësaj rrëfese, i dyshuari u largua, por më vonë u lokalizua dhe u arrestua nga autoritetet.

Pas arrestimit, 26-vjeçari mohoi autorësinë e vrasjes, duke deklaruar se kishte hyrë në apartament dhe e kishte gjetur gruan të pajetë. Ai pranoi se më pas futi trupin në një valixhe për ta larguar nga banesa, me arsyetimin se kishte frikë të përfshihej në ngjarje. Gjithashtu, pranoi se i kishte marrë kartën bankare viktimës dhe kishte tërhequr para nga llogaria e saj.

Ndërkohë, mjeku ligjor që po ndjek çështjen ka vlerësuar se provat e deritanishme tregojnë qartë për një akt kriminal. Sipas vlerësimit paraprak, shkaku më i mundshëm i vdekjes është asfiksia, ndërsa rezultatet përfundimtare do të përcaktohen pas analizave toksikologjike.