Autoritetet greke po vijojnë hetimet për ngjarjen e rëndë që tronditi lagjen Neos Kosmos në Athinë, ku një çift i moshuar u gjet i pajetë në gjendje dekompozimi brenda apartamentit të tyre, pasditen e së enjtes, më 4 shtator 2025.
Sipas informacioneve paraprake, pista kryesore që po hetohet është ajo e një vrasjeje nga burri ndaj bashkëshortes, e ndjekur më pas nga vetëvrasja, siç raportojnë mediat e huaja. Megjithatë, ky version nuk është ende i konfirmuar dhe pritet të vërtetohet nga ekzaminimet e mëtejshme të mjekësisë ligjore.
Trupi i burrit, 74 vjeç, u gjet me një plagë në kokë, ndërsa trupi i gruas kishte një plagë në kraharor, të dy të shkaktuara nga armë zjarri. Sipas ekspertëve, trupi i gruas ishte në një fazë më të avancuar dekompozimi, çka sugjeron se ajo ka ndërruar jetë disa ditë përpara burrit.
Në vendin e ngjarjes u gjet një armë gjahu (karabinë) dhe dy gëzhoja, të cilat janë marrë në shqyrtim nga hetuesit.
Trupat e pajetë u zbuluan pas një telefonate nga një banore e pallatit, e cila ishte shqetësuar për mungesën e çiftit. Ajo tregoi për policinë se gruaja vuante nga një sëmundje e rëndë, ndërsa burri kishte kohë që ishte në gjendje të rënduar psikologjike.
Policia greke ka bërë të ditur se nuk ka pasur ndonjë histori dhune mes çiftit më parë.