Një situatë emergjente është krijuar në Greqi, ku zjarret pyjore kanë përfshirë disa zona të vendit, duke detyruar qindra persona, kryesisht turistë, të largohen nga zonat e rrezikuara.
Në qytetin bregdetar Agios Vasileios, në Greqinë qendrore, evakuimi është kryer përmes mjeteve detare, pasi flakët iu afruan me shpejtësi zonave të banuara.
Mbi 200 persona janë larguar tashmë në mënyrë të sigurt nga zona, ndërsa rreth 100 të tjerë pritet të transportohen me anije. Zjarri shpërtheu të premten në mëngjes në rajonin e Viotisë dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta, duke vënë në rrezik rreth 500 banorë dhe vizitorë.
Fillimisht autoritetet urdhëruan zhvendosjen e qytetarëve drejt zonave më të sigurta, por përkeqësimi i situatës bëri që evakuimi të kryhej nga deti.
Ndërkohë, zjarrfikësit vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve edhe në ishullin e Kretës, ku zjarret kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha dhe kanë detyruar rreth 8 mijë persona të largohen përkohësisht nga banesat dhe zonat turistike.
Vatra aktive janë raportuar gjithashtu në ishujt Paros, Andros dhe Kalymnos, ndërsa temperaturat e larta dhe erërat e forta po vështirësojnë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.
Kriza e zjarreve ka prekur edhe vende të tjera të Europës Jugore. Në Portugali, qindra zjarrfikës po luftojnë me një zjarr të madh pranë Valpaços, ku janë djegur rreth 15 mijë hektarë tokë, përfshirë zona me vreshta dhe ullishte.
Në Spanjë, situata në rajonin e Ávilës është stabilizuar, por autoritetet vijojnë paralajmërimet për rrezik të lartë për shkak të temperaturave ekstreme.
Edhe Turqia vijon operacionet kundër zjarreve pyjore, me disa vatra aktive përgjatë bregdetit mesdhetar. Autoritetet raportojnë se vetëm që nga e mërkura janë regjistruar mbi 200 zjarre në zona të ndryshme të vendit.
