Një tjetër grua është gjetur e pajetë në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut, duke thelluar misterin rreth një serie vrasjesh që po hetohen prej muajsh nga autoritetet.
Zbulimi i fundit është bërë mëngjesin e së shtunës në një varrezë në Tembisa, në zonën e Ekurhulenit, në lindje të Johannesburgut. Me këtë rast, numri i grave të gjetura të vrara në rrethana të ngjashme ka arritur në dhjetë.
Identiteti i viktimës së fundit nuk është konfirmuar ende zyrtarisht. Megjithatë, një grua që pretendon se ishte shoqja e saj tha për transmetuesin publik SABC se e kishte njohur nga rrobat.
Sipas dëshmisë së saj, vetëm një natë përpara ngjarjes ato kishin qenë së bashku në një lokal. E tronditur nga ajo që kishte ndodhur, gruaja tha se tashmë nuk dinte se si do t’ua jepte lajmin fëmijëve të viktimës.
Zona ku u gjet trupi u rrethua nga policia, ndërsa ekspertët kriminalistikë nisën ekzaminimin e vendit dhe mbledhjen e provave. Një nga çështjet kryesore që pritet të përcaktohet është nëse vrasja e fundit ka lidhje me nëntë rastet e regjistruara më parë.
Pikërisht ngjashmëritë mes viktimave dhe mënyrës se si janë gjetur trupat kanë ngritur dyshime se rastet mund të mos jenë të izoluara.
Komisioneri i Policisë së Gautengut, Tommy Mthombeni, ka deklaruar se hetuesit kanë evidentuar disa elemente të përbashkëta mes rasteve të mëparshme. Megjithatë, sipas tij, në këtë fazë nuk ka prova të mjaftueshme për të arritur në përfundimin se pas vrasjeve qëndron i njëjti person.
Policia nuk e ka përjashtuar as pistën e një vrasësi serial, por autoritetet theksojnë se kjo mbetet vetëm një prej hipotezave që po shqyrtohen.
Pjesa më e madhe e nëntë viktimave të mëparshme janë gjetur në zonën e Kempton Parkut, jo shumë larg Tembisës. Viktimat kanë qenë kryesisht gra të reja dhe në pothuajse të gjitha rastet janë konstatuar shenja të dhunës së rëndë.
Seria e vrasjeve ka shkaktuar shqetësim të madh në Afrikën e Jugut dhe ka rikthyer në qendër të debatit problemin e dhunës ndaj grave.
Të dhënat e Komisionit të të Drejtave të Njeriut të Afrikës së Jugut tregojnë për përmasat e fenomenit. Vetëm gjatë periudhës prill-qershor të këtij viti, sipas institucionit, 569 gra janë vrarë, ndërsa 1,052 të tjera u kanë mbijetuar tentativave për vrasje.
Hetimet për rastet në Gauteng ndërkohë vazhdojnë.
Tre burra janë paraqitur këtë javë përpara gjykatës, pasi dyshohen për përfshirje në njërën prej nëntë vrasjeve të mëparshme. Autoritetet po hetojnë nëse ekzistojnë persona të tjerë të përfshirë dhe, mbi të gjitha, nëse mes viktimave ekziston një lidhje që mund të çojë drejt zbardhjes së serisë së krimeve.
