Dhjetëra britanikë kanë humbur jetën pas konsumimit të pijeve alkoolike të kontaminuara me metanol, një kimikat shumë toksik që nuk është për konsum njerëzor, raporton BBC.
Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka përditësuar listën e vendeve që paraqesin rrezik, duke përfshirë Tajlandën, Laosin, Vietnamin, Kamboxhian, Indonezinë, Turqinë, Kosta Rikën dhe Fixhin. Paralajmërimet vijnë pas disa incidenteve fatale, përfshirë vdekjen e turistëve britanikë në Laos vitin e kaluar.
Autoritetet u bëjnë thirrje udhëtarëve të jenë të kujdesshëm ndaj simptomave të helmimit nga metanoli, të tilla si shikimi i turbullt, konfuzioni, të përziera, të vjella dhe marramendje, të cilat mund të çojnë deri në humbje të jetës.
Metanoli është një kimikat industrial që përdoret për larjen e xhamave dhe nuk duhet të konsumohet. Megjithatë, disa bare dhe shitës ambulantë e përziejnë atë me pije alkoolike për të ulur kostot.
Udhëtarëve u këshillohet të blejnë pije të mbyllura nga lokale të licencuara, të shmangin alkoolin e bërë në shtëpi dhe pijet e përziera. Ekspertët paralajmërojnë se helmimi nga metanoli mund të ngjajë me një mbidozë alkooli, prandaj duhet kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore në rast shenjash të dyshimta.