Në dy qytete fqinje të Holandës, shkollat e mesme u urdhëruan të mbylleshin të premten për shkak të një rritjeje të dhunës midis dy grupeve të rinjsh.

Pesë shkolla në Beverwijk dhe Heemskerk u mbyllën në përpjekje për të rikthyer qetësinë, pasi u përhapën pamje të adoleshentëve që sulmoheshin, si dhe video të krijuara nga inteligjenca artificiale që shfaqnin shpërthime të rreme në dy shkolla. Kryetari i Bashkisë së Beverwijk, Martijn Smit, nxori një urdhër emergjent për tre ditë, duke ndaluar tubimet me më shumë se tre persona dhe duke shpallur disa zona si “me rrezik të lartë” për të parandaluar përdorimin e armëve. “Prindërit ishin të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve që shkonin në shkollë, ndaj vendosëm të krijonim një ditë pushimi dhe të rifillonim mësimet të hënën,” tha Smit për NOS Radio.

Dy banda të rinjsh janë të dyshuara për përshkallëzimin e dhunës, e cila filloi me dëme të konsiderueshme në një shkollë në Beverwijk javën e kaluar. Policia njoftoi arrestimin e një 22-vjeçari për dyshimin e vandalizmit.

Pas kësaj, shpërthyen përleshje që çuan në plagosjen e rëndë të një djali. Në TikTok qarkullonte një video e pa verifikuar që tregonte djalin duke u rrahur në kokë, me gojën e mbuluar me shirit ngjitës. Kryebashkiaku u shpreh se qytetarët janë të trembur dhe po përhapen “video shumë të pakëndshme” që përfshijnë dhunë ndaj të rinjve, duke shtuar: “Disa video tregojnë njerëz të nënçmuar, përfshirë edhe fotografi të pjesëve intime, të cilat janë bërë publike – kjo është krejtësisht e papranueshme.”

Ministri holandez i Drejtësisë, Foort van Oosten, e cilësoi situatën si “jashtëzakonisht të trishtueshme”, duke theksuar se fëmijët duhet të kenë të drejtën për të shkuar në shkollë në siguri.

Policia njoftoi se po punonte për të rikthyer qetësinë dhe sigurinë në zonë, duke përdorur autoritetin nga urdhrat e emergjencës të kryetarëve të bashkive të Beverwijk dhe Heemskerk për të kryer kontrolle preventive dhe për të shpërndarë grupe të mëdha njerëzish.