Franca po përballet me një valë të pazakontë të nxehti për muajin maj, ndërsa temperaturat ekstreme kanë shkaktuar edhe viktimën e parë.
Një person humbi jetën gjatë një gare vrapimi në Paris, ndërsa të paktën 10 pjesëmarrës të tjerë u dërguan në spital për shkak të problemeve shëndetësore të lidhura me vapën dhe dehidratimin.
Sipas autoriteteve franceze, incidenti ndodhi gjatë një aktiviteti sportiv në kryeqytet, ku ekipet e emergjencës ndërhynë për të ndihmuar garuesit që shfaqën shenja lodhjeje nga temperaturat e larta.
Shërbimi meteorologjik Météo-France bëri të ditur se temperaturat në Paris kanë kaluar për herë të parë këtë vit 30 gradë Celsius, duke arritur deri në 31.9°C. Në disa rajone të tjera të vendit janë regjistruar edhe rekorde historike për muajin maj.
Meteorologët e lidhin këtë situatë me fenomenin e njohur si “kupolë termike”, që po sjell masa të nxehta ajri nga Afrika e Veriut dhe po mban temperaturat në nivele shumë të larta.
Autoritetet kanë shpallur alarm në disa zona të Francës perëndimore, ndërsa parashikimet tregojnë se temperaturat mund të shkojnë deri në 35 gradë Celsius në ditët në vijim.
Ekspertët paralajmërojnë se valët e të nxehtit po bëhen më të shpeshta dhe më intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike.
