Rusia kurrë nuk do ta braktisë apo tradhtojë Kubën dhe planifikon të ndihmojë ishullin komunist të përballet me problemet energjetike të lidhura me embargon amerikane. Të paktën kështu ka deklaruar një zëvendësministër i jashtëm rus mëngjesin e kësaj të premteje, pas bisedimeve të zhvilluara në Havana.

Gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin kuban, Sergei Ryabkov tha gjithashtu se Moska nuk ka ndërmend të heqë dorë nga interesat e saj në hemisferën perëndimore, pavarësisht se çfarë mund të thonë Shtetet e Bashkuara.

Ryabkov tha se ndihma e Moskës për Kubën do të shkojë përtej ngarkesës së madhe me naftë që ajo i dërgoi ishullit muajin e kaluar.

“Jam i bindur se ngjarjet e javëve të fundit në marrëdhëniet tona do të na çojnë përpara drejt gjetjes së zgjidhjeve për problemet më të vështira… që lindin nga bllokada e paligjshme dhe absolutisht e papranueshme e ishullit nga SHBA-të”, u citua të thoshte Ryabkov.

“Ne nuk mund ta tradhtojmë Kubën. Kjo është e pamundur. Nuk mund ta lëmë të vetme.”

Ryabkov tha se nevojat energjetike të Kubës ishin prioritet.

“Është ende herët për të thënë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm. Por është e qartë se nuk do të kufizojmë furnizimet tona vetëm te ngarkesa që ishte në bordin e cisternës Anatoly Kolodkin,” tha ai.

“Rusia nuk ka plane të largohet nga hemisfera perëndimore, pavarësisht se çfarë mund të thotë Uashingtoni,” citohet të ketë thënë ai nga Reuters. “Ata janë të fiksuar me shtyrjen e Rusisë dhe Kinës jashtë rajonit.”

Ai tha se sulmet e SHBA-ve dhe Izraelit ndaj Iranit “e bëjnë të qartë se përdorimi i forcës, sanksioneve dhe diktatit politik nuk sjell rezultatet e dëshiruara.”