Më shumë se 100 organizata bamirëse i kanë shkruar Rishi Sunak duke bërë thirrje për t’i dhënë fund strehimit të fëmijëve azilkërkues në hotele, pasi rreth 200 minorenë u zhdukën nga hotelet.

Organizatat e paralajmëruan kryeministrin se fëmijët ishin në rrezik shfrytëzimi, ndërsa njëra e quajti “skandal të mbrojtjes së fëmijëve”. Ekziston shqetësimi se fëmijët po trafikohen në bandat kriminale. Qeveria tha se ishte “e vendosur të ndalonte përdorimin e hoteleve” për të gjithë fëmijët.

Udhëheqësja e Commons, Penny Mordaunt, tha se kishte histori të bandave që ishin paraqitur në hotele duke marrë njerëz.

“Është shumë e vështirë të mbrosh azilkërkuesit e pambrojtur dhe kjo duhet adresuar,”- u tha ajo deputetëve.

Organizatat bamirëse kanë ngjallur frikën se fëmijët që zhduken nga hotelet po përfundojnë në bandat e drogës ose lavazhet e makinave.

Dame Sara Thornton, ish-komisionerja e pavarur kundër skllavërisë në Mbretërinë e Bashkuar, tha se dihej se grupet e krimit të organizuar synonin fëmijët e cenueshëm dhe fëmijët azilkërkues ishin në “rrezik të madh shfrytëzimi dhe trafikimi”.

“Frika ime e vërtetë është se djemtë do të mbyllen në fermat e kanabisit, ata mund të punojnë në shpërndarjen e drogës në linjë dhe vajzat mund të detyrohen të kthehen në skllave seksuale.”