Rusia ka hyrë në ditën e dytë të votimit treditor për zgjedhjet parlamentare. Por këtë herë, procesi zgjedhor shkon përtej territorit të njohur ndërkombëtarisht të Rusisë.

Për herë të parë, Moska organizon votime edhe në territoret ukrainase të pushtuara nga forcat ruse.

Kievi dhe komuniteti ndërkombëtar e kanë dënuar organizimin e zgjedhjeve në këto territore, duke e konsideruar atë shkelje të sovranitetit territorial të Ukrainës.

Në Rusi, opozita kryesore është jashtë garës, ndërsa një pjesë e kandidatëve kundër luftës janë përjashtuar nga procesi.

Partia e Kremlinit, “Rusia e Bashkuar”, synon të ruajë shumicën absolute në Dumën Shtetërore.

Presidenti Vladimir Putin votoi online nga zyra e tij dhe e paraqiti pjesëmarrjen në zgjedhje si dëshmi të unitetit të vendit.

Por votimi elektronik mbetet një tjetër pikë debati. Kritikët e Kremlinit dhe opozita në mërgim thonë se zgjerimi i tij e vështirëson verifikimin e rezultateve.

Votimi përfundon pas tre ditësh, ndërsa rezultatet zyrtare pritet të shpallen të martën.