Gjatë një tubimi në Michigan, presidenti Donald Trump deklaroi se kishte arritur “100 ditët më të suksesshme në historinë e një administrate”. BBC verifikoi disa nga pretendimet kryesore që ai bëri.

Nafta: Trump tha se çmimi i benzinës ka rënë ndjeshëm. Në realitet, sipas të dhënave të 29 prillit, çmimi mesatar i një galoni ishte 3.16 dollarë pak më i lartë se në janar kur ishte 3.125 dollarë. Ai përmendi çmime prej 1.98 dollarë, por nuk ka prova që ndonjë shtet ka pasur çmime kaq të ulëta më i ulëti ishte 2.67 dollarë.

Vezët: Trump deklaroi se çmimi i vezëve ka rënë me 87%. Kjo është e pavërtetë. Çmimi për konsumatorët ka pësuar vetëm ulje të vogël. Vetëm çmimi me shumicë ka rënë me rreth 52%, nga 6.55 në 3.15 dollarë për dyzinë.

Imigracioni: Pretendimi i tij se kalimet e paligjshme në kufirin SHBA-Meksikë kanë qenë më të ulëtat ndonjëherë është i mbështetur nga të dhënat. Marsi dhe shkurti shënuan shifrat më të ulëta që nga viti 2000, megjithatë ato nuk janë më të ulëtat “në histori”, por që nga fillimi i regjistrimeve mujore.

Kursimet nga Doge: Trump tha se Elon Musk, përmes institucionit këshillues DOGE, ka kursyer mbi 150 miliardë dollarë. Megjithatë, vetëm rreth 40% e kësaj shume është e shoqëruar me prova, dhe më pak se gjysma kanë dokumentacion mbështetës.

Punësimi: Ai deklaroi se janë krijuar 350,000 vende pune, kjo është pothuajse e saktë sipas shifrave zyrtare (345,000). Megjithatë, në të njëjtën periudhë të një viti më parë nën Biden, ishin krijuar 468,000 vende pune.

Disa deklarata janë të mbështetura në të dhëna, por të tjera janë të pasakta ose të ekzagjeruara.//BBC