I dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krimin më të rëndë të kryer në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, krimineli i luftës Ratko Mlladiç i kaloi ditët e fundit të jetës në spitalin e burgut në Hagë, duke lwnguar nga dhimbjet e forta. Sipas familjes gjendja e tij ishte përkeqësuar në mënyrë të pakthyeshme.
Djali i tij, Darko Mlladiç, tha se javët e fundit i ati pothuajse nuk fliste më. Sipas tij, mjekët i kishin nisur trajtimin me fentanil, një opioid i fuqishëm që përdoret për lehtësimin e dhimbjeve të forta, ndërsa qëndrimi i gjatë në shtrat i kishte shkaktuar plagë në trup. Familja pretendon se gjithçka nisi më 10 prill, kur Mlladiqi pësoi goditjen e parë në tru. Sipas Darkos, mjekët nuk e diagnostikuan siç duhej dhe një muaj më vonë ai pësoi edhe një goditje të dytë, e cila ia përkeqësoi gjendjen. Prej gushtit të vitit 2024, ai nuk ishte ngritur më në këmbë dhe lëvizte vetëm me karrocë.
Darko Mlladiç tha se babai i tij vuante gjithashtu nga probleme me zemrën, veshkat dhe diabeti. Sipas tij, mjekët e kishin njoftuar familjen se ai mund të vdiste brenda pak ditësh, ndaj u bë edhe një kërkesë e fundit për lirimin e tij për arsye humanitare. Kërkesa u refuzua.
Ratko Mlladiç vdiq në moshën 84-vjeçare, duke vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga Tribunali Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë. Gjykata e shpalli fajtor për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, duke e mbajtur përgjegjës për vrasjen e mbi 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, si edhe për rrethimin e Sarajevës.
