Kryeministri i Izrael, Benjamin Netanyahu, i ka drejtuar një tjetër mesazh popullit të Iran, duke i bërë thirrje të ngrihet kundër regjimit në Teheran. Në një video-mesazh të publikuar në platformën X, Netanyahu u shpreh se është vetë populli iranian ai që duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të kundërshtojë autoritetet aktuale.
Videoja shoqërohet me muzikë dramatike dhe pamje turmash të bashkuara që mbajnë flamurin historik iranian me Luanin dhe Diellin, si edhe flamurin e Izraelit. Në mesazhin e tij, kryeministri izraelit thekson se vendi i tij synon të “çlirojë Iranin nga zgjedha e tiranisë”.
“Unë besoj se, nëse do të ngriheni në këmbë në momentin e së vërtetës, nuk do të vonojë dita kur Izraeli dhe Irani do të bëhen sërish miq të guximshëm”-, deklaroi Netanyahu.
Zyrtarë të Izraelit, përfshirë edhe vetë Netanyahun, kanë deklaruar më parë publikisht se shpresojnë që konflikti i vazhdueshëm në rajon mund të çojë edhe në një ndryshim të regjimit në Iran.


