Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka njoftuar se autori i vrasjes së aktivistit Charlie Kirk është arrestuar. Sipas Trump, autori është një i ri i moshës 28 ose 29 vjeç, i cili u dorëzua në policia nga babai i tij dhe ndodhet në paraburgim.
“Besoj me shumë siguri se e kemi në paraburgim,” u shpreh Trump gjatë një interviste për Fox News.
Në të njëjtën kohë, zyrtarë shtetërorë dhe federalë kanë njoftuar një konferencë për shtyp, për të dhënë informacion rreth hetimeve dhe kapjes së autorit të dyshuar për vrasjen e Charlie Kirk, sipas një deklarate nga zyra e guvernatorit të Utah. Ka gjasa që ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me deklaratat e presidentit amerikan.
Gjatë intervistës, Trump e përshkroi Kirk si “njeriun më të mirë”, ndërsa dënoi ashpër autorin e krimit, i cili ende nuk është identifikuar publikisht nga autoritetet.
“Shpresoj, besoj se do të shpallet fajtor dhe shpresoj që të dënohet me vdekje. Ajo që i ndodhi Charlie-t ishte e padrejtë… Ai ishte njeri që punonte shumë, i dashur nga të gjithë. Në Utah e kanë dënimin me vdekje, dhe guvernatori atje është një njeri shumë i mirë. E kam njohur guvernatorin dhe është i vendosur për ta kërkuar dënimin me vdekje në këtë rast.”– tha Trump.
Më tej, presidenti theksoi se guvernatori i Utah, Spencer Cox, ka shprehur synimin për të kërkuar dënimin kapital për autorin e dyshuar.
Kur u pyet nëse vrasja e Kirk ishte një rast i izoluar, Trump u përgjigj se “duket se është”. Presidenti shtoi gjithashtu se nuk e kishte parë videon e momentit të vrasjes së Kirk, pavarësisht se pamjet e ngjarjes në universitetin Utah Valley janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale.
“Nuk doja ta shihja, e kam dëgjuar. Nuk do të isha kurrë një mjek i mirë, ta them kështu. Mjaftova me atë që dëgjova, nuk doja ta shihja, nuk dua ta kujtoj Charlie-n në atë mënyrë.”– tha Trump.
Autoritetet amerikane ndërmorën një operacion të gjerë për kapjen e personit që vrau Charlie Kirk pasditen e së mërkurës, duke u bërë thirrje qytetarëve që të paraqesin çdo informacion të mundshëm që mund të ndihmojë në hetim.
Pas publikimit të katër fotografive të reja ku shihej i dyshuari, autoritetet shpërndanë edhe një video nga kamerat e sigurisë që tregonte momentet e arratisjes, disa sekonda pas të shtënave me armë. Në video, sipas kreut të shërbimit të sigurisë publike të Utah, Bo Mason, shfaqet një burrë që vrapon mbi çatinë e ndërtesës nga ku kishte hapur zjarr, kërcen nga një lartësi e konsiderueshme, kalon një rrugë dhe përfundon në një zonë të pyllëzuar ku më vonë u gjet edhe arma e përdorur në krim.
Në një tjetër video të publikuar nga faqja TMZ, i dyshuari shfaqet fillimisht duke ecur në lagjen Orem të Utah, duke iu afruar universitetit ku Kirk pritej të mbante një fjalim. Më pas, ai ndjek të njëjtën rrugë për t’u larguar nga vendngjarja.
Fotografitë e reja, të marra nga kamerat e sigurisë, tregojnë më qartë veshjen dhe çantën e shpinës së të dyshuarit, ndonëse një kapelë sportive dhe syze të zeza i fshihnin tiparet e fytyrës. Hetuesit arritën të gjejnë një gjurmë gishti të dorës së majtë dhe një shenjë këpucësh që i dyshuari kishte lënë teksa largohej nga çatia e ndërtesës.