Një grabitje e dhunshme në një dyqan bizhuterish në Madera u kthye në një përplasje të drejtpërdrejtë mes pronarit dhe pesë grabitësve të maskuar, të cilët hynë me forcë në ambientet e biznesit dhe thyen vitrinat me mjete të forta.
Ngjarja ndodhi të enjten, ku kamerat e sigurisë kapën momentin kur autorët, të pajisur me mjete thyerjeje dhe të veshur me maska e doreza, sulmuan shpejt vitrinat, duke marrë bizhuteri me vlerë të lartë. Vetëm pak sekonda më vonë, pronari doli nga pjesa e pasme i armatosur dhe hapi zjarr ndaj tyre, duke i detyruar të iknin me nxitim nga dyqani. Megjithatë, grabitësit arritën të largoheshin me sende me vlerë rreth 170 mijë dollarë.
“Për familjen ka qenë një përvojë tronditëse. Dyqani është biznes familjar dhe shumica e punonjësve janë të afërm. Nga mënyra si vepruan, duket se autorët e kishin planifikuar mirë dhe nuk ishte hera e parë që kryenin një grabitje të tillë,” deklaroi një zëdhënës i policisë së Maderës.
Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet po punojnë për identifikimin e pesë personave të përfshirë në ngjarje.
Video shows jewelry shop owner firing back at robbers https://t.co/vIN19r5Le6 pic.twitter.com/iuxxxdfwnR
— New York Post (@nypost) November 16, 2025
