Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se forcat e armatosura nën drejtimin e tij “nuk do të jenë politikisht korrekte” dhe do të shndërrohen në një “makinë luftimi dhe fitoreje”.
Gjatë një fjalimi para udhëheqjes ushtarake, ai tha se do të rikthejë fokusin te forca fizike, aftësia dhe karakteri, sepse “qëllimi i ushtrisë nuk është të mbrojë ndjenjat, por demokracinë”. Trump njoftoi gjithashtu një plan për të investuar mbi 1 trilion dollarë në ushtri deri në vitin 2026, ndërkohë që për vitin 2025 buxheti i mbrojtjes është 895 miliardë dollarë. Ai premtoi zgjerimin e Marinës me 19 anije të reja, përfshirë nëndetëse dhe shkatërrues.
Në një vendim simbolik, Trump tha se Pentagonin do ta riemërojë në “Departamenti i Luftës”, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë në parandalimin e konflikteve. Në fund të fjalimit, kreu i Shtëpisë së Bardhë lavdëroi historinë luftarake të ushtrisë amerikane dhe theksoi se SHBA-të do të vazhdojnë të fitojnë në çdo betejë.
Duke komentuar mbi protestat kundër Gardës Kombëtare dhe agjencive federale, presidenti tha: “Ata pështyjnë, ne godasim. Mendojmë se është në rregull”.