Një grua 53-vjeçare në Sidnej, Australi është arrestuar pasi dyshohet se ka mashtruar dhjetëra gra vietnameze, duke përfituar rreth 40 milionë euro. Ajo hiqej si fallxhore dhe i bindte të merrnin kredi të mëdha, ndërsa u premtonte se në të ardhmen do martoheshin me “miliarder”.

Bashkë me të u arrestua edhe vajza e saj 25-vjeçare, e cila paraqitej si mësuese feng-shui. 53-vjeçarja akuzohet për 39 vepra penale, përfshirë drejtimin e një organizate kriminale dhe mashtrim financiar, ndërsa vajza për 7 akuza, si administrim të të ardhurave nga krimi.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tyre luksoze, policia sekuestroi dokumente, telefona, çanta luksoze, një shufër ari 40 g dhe mijëra dollarë në çipa kazinoje. Autoritetet thanë se gruaja ishte prezantuar si një anëtare e respektuar e komunitetit dhe përdorte rolin e “fallxhores” për të manipuluar njerëz me probleme financiare.