Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar deklarata të forta ndaj Iranit, duke paralajmëruar një goditje të ashpër amerikane dhe duke folur për marrjen e kontrollit mbi sektorin energjetik të vendit.

Në deklaratën e tij, Trump u shpreh se Shtetet e Bashkuara do ta “godasin shumë fort” Iranin dhe se në të ardhmen synojnë të marrin kontroll të plotë mbi tregjet e naftës dhe gazit në vend.

Presidenti amerikan përmendi edhe ishullin Kharg, një nga pikat më të rëndësishme të eksportit të naftës iraniane, duke lënë të kuptohet se infrastruktura energjetike e Iranit mund të jetë në fokus të veprimeve të ardhshme amerikane.

Trump e krahasoi këtë qasje me atë që, sipas tij, është ndjekur më herët ndaj Venezuelës, duke shtuar se strategjia amerikane ka dhënë rezultate pozitive si për SHBA-në ashtu edhe për interesat e saj ekonomike.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke shtuar shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës në rajon.