Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se është i hapur ndaj mundësisë së tërheqjes së autoriteteve federale të emigracionit nga Minneapolis, por pa dhënë një afat konkret. Deklarata u bë gjatë një interviste telefonike për Wall Street Journal.

“Në një moment, ne do të largohemi. Ata kanë bërë një punë fenomenale”, u shpreh Trump.

Presidenti njoftoi gjithashtu se do të dërgojë në Minnesota “carin kufitar” të administratës së tij, Tom Homan, në një kohë kur janë shtuar thirrjet për një hetim të plotë lidhur me vrasjen e Aleks Pretti dhe protestat në Minneapolis kanë marrë përmasa të mëdha.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, ka mbështetur publikisht Homan, duke deklaruar se ai do të largojë “të huajt e dhunshëm, kriminelë dhe të paligjshëm” nga rrugët e Minnesotas. Ndërkohë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se presidenti ka “besim të plotë” te Noem.

Presioni politik ndaj administratës Trump është rritur, përfshirë edhe nga ligjvënës republikanë, të cilët kërkojnë hetim më të thelluar për vdekjen e Prettit.

Aleks Pretti, 37 vjeç, u qëllua për vdekje të shtunën gjatë një përplasjeje me Patrullën Kufitare, duke shënuar vrasjen e dytë në Minneapolis nga agjentë federalë gjatë këtij muaji. Noem ka deklaruar se Pretti iu afrua oficerëve me një “pistoletë gjysmëautomatike” dhe reagoi me dhunë, por autoritetet lokale e kanë kundërshtuar këtë version të ngjarjes.