Anëtari i presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik njihet për retorikën e tij nacionaliste. Këtë ai e ka bërë të dukshme dhe gjatë një tubimi me mbështetësit e tij ku u zotua në pavarësinë e Republika Srpska-s

Gjatë fjalës së tij në tubimin nën moton “Mëmëdheu na thërret” ai falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen, ndërsa u shpreh se ata që duan të ndalojnë flamurin e Serbisë nuk do të ja dalin. Ai përsëriti retorikën e tij se ata nuk mund të largohen nga vendi pa marrë dhe 49% të territorit boshnjak me vete.

“Faleminderit për këtë natë të mrekullueshme. Vetëm së bashku kemi forcën t’i rezistojmë të gjithë atyre që do të ndryshonin mënyrën tonë të jetesës dhe që do të na tregonin si të jetonim. Kjo është ajo që po luftojmë. Kjo është ajo për të cilën po punon Milorad Dodik. Kur populli thotë që unë duhet të jem këtu unë do të jem këtu. Ata duan që ne të ndalojmë flamurin e Serbisë. Ata që ju thonë se askush nuk do t’i bëjë asgjë RS-së nuk kanë të drejtë. Çdo ditë duan të na bëjnë diçka, prandaj na thotë që mund të shkojmë ku të duam por ne së bashku me këpucët tona do marrim 49 % të Bosnjës dhe Hercegovina me vete”, tha Dodik.

Në fund të fjalës së tij që ishte krejtësisht në terma nacionaliste, ai bëri thirrje për bashkim dhe tha se nuk mund të lejohet që votat e tyre të numërohen në Sarajeve por vetëm aty ku ata kanë votuar.