NATO ka garantuar se nuk do të lejojë krijimin e një vakumi sigurie në rajonin e Ballkanit Perëndimor, deklaroi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë vizitës së tij në Shkup. Ai theksoi se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, i njohur si KFOR, do të mbetet “i fuqishëm dhe i gatshëm për misionin e tij”.
Rutte theksoi rëndësinë strategjike të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor për NATO-n dhe përmendi rolin kyç që Maqedonia e Veriut ka në kuadër të aleancës. “Ky mision vazhdon të luajë rol themelor në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme, në dobi të të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë. Ne do të vazhdojmë të sigurohemi që KFOR-i të mbetet i fuqishëm dhe i aftë për të përmbushur detyrën e tij. Bashkëpunimi mes aleatëve është thelbësor për sigurinë e përbashkët,” tha Rutte.
Misioni i KFOR-it, i vendosur në Kosovë në qershor të vitit 1999 pas përfundimit të luftës, ka pasur si qëllim krijimin e një mjedisi të sigurt dhe parandalimin e rikthimit të dhunës. Ai është operacioni më jetëgjatë dhe një nga më të mëdhenjtë aktivë të NATO-s.
Deklaratat e Rutte-s vijnë në një kohë kur janë shtuar diskutimet, sidomos në Shtetet e Bashkuara, për mundësinë e një rishikimi të angazhimit amerikan në misionet e jashtme të NATO-s, përfshirë edhe Kosovën. Megjithatë, Pentagoni ka bërë të ditur se nuk ka ndonjë njoftim për ndryshimin e dislokimit të forcave në KFOR, duke konfirmuar mbështetjen e vazhdueshme për misionin dhe qëllimet e tij në rajon.
