Steve Bannon kishte shprehur synimin për të “rrëzuar” Papa Françeskun dhe për këtë kishte diskutuar me financierin e dënuar për pedofili, Jeffrey Epstein.
Sipas raportimit të CNN, mesazhet e shkëmbyera midis tyre në vitin 2019, që u bënë publike së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, tregojnë përpjekjet e Bannon për të dobësuar pozitat e Papës argjentinas pas largimit të tij nga administrata e parë Trump. CNN shkruan se Bannon e konsideronte Françeskun një kundërshtar të vizionit të tij “sovranist”, duke i dërguar mesazhe ku shprehte: “Do ta rrëzojmë Papën. Clintonët, Xi-në, Françeskun, BE-në, hajde vëlla”.
Në këto mesazhe, Bannon përmendte edhe librin “Sekretet në dollapin e Vatikanit” të gazetarit francez Frédéric Martel, botuar në 2019, i cili pretendon se një pjesë e konsiderueshme e klerikëve në Vatikan janë homoseksualë, përfshirë figura të larta të hierarkisë kishtare. Bannon shprehu interes ta përshtaste librin në film, duke propozuar Epstein-in si producent ekzekutiv. Martel tha për CNN se kishte refuzuar propozimin dhe akuzoi Bannonin se donte ta “instrumentalizonte” librin e tij.
