Lideri i Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko ka zbuluar bisedat befasuese që pati gjatë fundjavës me Yevgeny Prigozhin, kreun e mercenarëve “Wagner”, teksa e bindi që të hiqte dorë nga grushti i shtetit.
Në një dalje për mediat, Lukashenko zbuloi se i tha Prigozhinit se ai do të ‘shtypej si një insekt’ nëse do të përpiqej të sulmonte Moskën, e po ashtu se e paralajmëroi se Kremlini nuk do ta përmbushte kurrë kërkesën e tij për të rrëzuar ministrin rus të mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefin e shtabit të përgjithshëm, gjeneralin Valery Gerasimov.
Ai shtoi se i tha Prigozhin se edhe nëse ai e konsideronte rebelimin një protestë, rezultatet e një sulmi mund të ishin katastrofike jo vetëm për Moskën, por edhe për vendet fqinje.
“Garancitë e sigurisë, siç premtoi ai dje, u dhanë. Unë shoh që Prigozhin tashmë po fluturonte në këtë aeroplan. Po, ai është sot në Bjellorusi. Për një kohë të gjatë po përpiqesha ta bindja. Dhe në fund, unë thashë, ‘E dini, ju mund të bëni çfarë të doni. Por mos u ofendoni nga unë. Brigada jonë është gati për transferim në Moskë’. Kjo situatë nuk shqetëson vetëm Rusinë. Nuk është vetëm sepse ky është Atdheu ynë dhe sepse, Zoti na ruajt, kjo trazirë do të përhapej në të gjithë Rusinë, dhe parakushtet për këtë ishin kolosale, ne ishim të radhës.
Gjëja më e rrezikshme, siç e kuptoj unë, nuk është se si ishte situata, por si mund të zhvillohet dhe pasojat e saj. E kuptova gjithashtu se ishte marrë një vendim i ashpër – për të shkatërruar”, tha Lukashenko, duke sugjeruar se presidenti rus ishte më se i gatshëm të urdhëronte një sulm ndaj Ëagner.
“I sugjerova Putinit të mos nxitonte. Le të flasim me Prigozhin, me komandantët e tij”, shtoi ai.
Faqja e internetit e shërbimit të gjurmimit të fluturimeve Flightradar24 tregoi një avion Embraer Legacy 600, me kode identifikimi që përputhen me një aeroplan të lidhur me Prigozhin në dokumentet e sanksioneve të SHBA-së, duke zbritur në lartësinë e uljes pranë kryeqytetit Minsk.
Prigozhin mbërriti sot në Bjellorusi sipas një marrëveshjeje që i dha fund një rebelimi jetëshkurtër kundër ushtrisë ruse nga luftëtarët e tij.