Një grua britanike ka rrëfyer makthin që përjetoi pasi një ish-koleg e përndoqi për muaj të tërë, e kërcënoi me përdhunim dhe disa herë hyri me forcë në banesën e saj.
42-vjeçari fillimisht e bombardoi 31-vjeçaren me mesazhe abuzive dhe dhurata të frikshme. Ai madje i kishte thënë partnerit të saj: “Jam gangster, do ta përdhunoj para syve të tu dhe do të të hedh në erë kokën.”
Pavarësisht se Grace nuk i ktheu kurrë përgjigje, ngacmimi u përshkallëzua deri në dhunë fizike. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur Chads troket në derën e saj dhe më pas futet me forcë nga dritarja e banjës. Në xhep i janë gjetur shtatë prezervativë dhe ditari i saj personal.
Gjatë një tjetër hyrjeje, ai theu dritaret dhe shkatërroi rrobat, të cilat i hodhi në oborr. Çifti i frikësuar filloi kurse vetëmbrojtjeje dhe instaloi kamera sigurie, të cilat regjistruan gjithçka.
Grace shprehet: Isha e bindur se do të më rrëmbente dhe do të më përdhunonte. Çdo ditë kisha frikë për jetën time.
Pas raportimit në polici, autoritetet e arrestuan Chads në vendngjarje me një shishe verë dhe dy gota në çantë, duke treguar se ishte përgatitur për të qëndruar brenda.
Gjykata e dënoi me 13 vite burg për hyrje të paligjshme me qëllim abuzimi seksual, vjedhje dhe dëmtim të pronës. Atij iu vendos edhe urdhër ndalimi i përjetshëm ndaj Grace.
Në seancën gjyqësore, Grace e përballi vetë agresorin dhe lexoi deklaratën e saj mes lotësh:
“Dua t’u them të gjitha grave: mos e neglizhoni asnjë shenjë përndjekjeje. Mblidhni prova, besoni instinktin dhe kërkoni drejtësi. Edhe unë ia dola.”
Policia pranoi se reagimi fillestar ndaj denoncimeve të saj nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe premtoi përmirësime në hetimin e rasteve të përndjekjes.