Presidenti Donald Trump ka deklaruar se Kuba është vendi i radhës që sipas tij “do të merret” nga Shtetet e Bashkuara, tani që ishulli ndodhet në një pozitë shumë të dobët.

“Besoj se do ta kem unë nderin që të marr Kubën. Nëse do ta çliroj, apo do ta marr pak rëndësi ka. Unë do të mund të bëj ç’të dua me të”, tha Trump në një takim me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

Aktualisht Kuba po përjeton një kolaps energjetik për shkak të embargos amerikane të naftës dhe rrjetit të vjetëruar energjetik, që ka lënë në terr rreth 10 milionë banorët. Vendi nuk merr ngarkesa me naftë që prej 9 janarit, pasi Shtetet e Bashkuara arrestuan liderin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe vendosën një bllokadë ndaj furnizimeve me karburante për ishullin.

Për më tepër, në janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që kërcënonte me tarifa çdo vend që i shiste apo i ofronte naftë Kubës. Mungesa e karburanteve ka detyruar linjat ajrore të mbajnë në tokë avionët e tyre, ka dëmtuar sektorin e turizmit dhe ka detyruar qeverinë të racionojë shitjen e naftës dhe të pezullojë disa shërbime spitalore.

Situata e rëndë ka bërë që të shpërthejnë protestat e dhunshme, me manifestuesit që javën e kaluar vandalizuan zyrën e Partisë Komuniste në Moron, një qytet me rreth 70 mijë banorë në lindje të Havanës. Duke cituar burime anonime, gazeta “New York Times” raportoi të hënën se zyrtarë të administratës Trump kanë sinjalizuar homologët kubanë se duan që presidenti Miguel Diaz Canel të largohet nga pushteti.

Një ditë më parë, duke reaguar lidhur me situatën, zëvendës kryeministri i Kubës, Oscar Perez Olivia deklaroi se ishulli është i hapur për një marrëdhënie tregtare të rrjedhshme me Shtetet e Bashkuara dhe njoftoi se tani mërgata kubane do të lejohet të investojë në vend.