Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se mund të japë dorëheqjen në një të ardhme të afërt, pas protestave të zhvilluara në sheshin Slavija në Beograd.
Gjatë një vizite në Pekin, Vuçiç u tha gazetarëve se mandati i tij po shkon drejt fundit dhe se largimi nga posti mbetet një mundësi reale.
“Është e mundur që të jap dorëheqjen së shpejti”, deklaroi ai, duke shtuar se nuk do ta shkurtojë mandatin në mënyrë artificiale, siç sipas tij kishte vepruar ish-presidenti Boris Tadić.
Vuçiç minimizoi ndikimin e protestave studentore në Slavija, duke thënë se ato nuk mund ta destabilizojnë Serbinë dhe duke i cilësuar si protesta pa përmbajtje dhe jo masive.
Sipas presidentit serb, shërbimet e sigurisë kanë vlerësuar se në protestë morën pjesë rreth 34 mijë persona.
Ai akuzoi organizatorët për incidentet e ndodhura pas përfundimit të tubimit, ndërsa paralajmëroi se Partia Progresive e Serbisë do të organizojë tubime nga 26 deri më 28 qershor.
Vuçiç theksoi se mesazhet politike kanë më shumë rëndësi sesa numri i pjesëmarrësve në protesta apo tubime.
Duke komentuar raportet mbi marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kinës, ai hodhi poshtë pretendimet se Beogradi ndodhet “pranë vijës së kuqe” për shkak të bashkëpunimit me Pekinin.
