Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi sot largimin e Susie Wiles nga detyra e shefes së kabinetit në Shtëpinë e Bardhë. Në vend të saj do të emërohet Stephen Miller, aktualisht zëvendës-shef i kabinetit dhe një prej këshilltarëve më të besuar të presidentit.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se Susie Wiles është diagnostikuar me kancer gjiri, por do të vijojë të ushtrojë detyrën e saj gjatë trajtimit mjekësor.

“Gati një në tetë gra në Shtetet e Bashkuara do të përballen me këtë diagnozë”, deklaroi Wiles, 68 vjeçe, në një deklaratë. “Çdo ditë, këto gra vazhdojnë të rrisin familjet e tyre, të shkojnë në punë dhe t’u shërbejnë komuniteteve të tyre me forcë dhe vendosmëri. Tani edhe unë bëhem pjesë e tyre”.

Presidenti amerikan Donald Trump e vlerësoi Wiles, duke e cilësuar atë si “një luftëtare të jashtëzakonshme”.

“Susie, si një nga këshilltaret e mia më të afërta dhe më të rëndësishme, është e fortë dhe thellësisht e përkushtuar ndaj shërbimit për popullin amerikan”, shkroi Trump në platformën Truth Social. “Së shpejti do të jetë më mirë se kurrë!”

Trump shkroi se Wiles do të vazhdojë të punojë “pothuajse me kohë të plotë në Shtëpinë e Bardhë”, ndërsa i nënshtrohet trajtimit mjekësor.

Ajo nuk bëri të ditura detaje rreth planit të trajtimit, por tha se mjekët e kishin zbuluar kancerin në një fazë të hershme dhe se kishte “perspektiva shumë të mira për shërim”.

Wiles është gruaja e parë që ka mbajtur postin e shefes së kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. I konsideruar si pozicioni më i rëndësishëm në stafin e Shtëpisë së Bardhë, shefi i kabinetit ka përgjegjësinë të sigurojë që agjenda e presidentit të zbatohet sipas planit.