Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë një mesazh të fortë dhe të paprecedentë gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku shpalli një ofensivë të re kundër karteleve të drogës dhe rrjeteve kriminale në Amerikën Latine, duke akuzuar drejtpërdrejt regjimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro si përgjegjës për mbështetjen e tyre.
Trump deklaroi se SHBA ka vendosur mbi 4,000 marinsa dhe marinarë në ujërat përreth Amerikës Latine dhe Karaibeve, në kuadër të një operacioni të gjerë ushtarak për të shkatërruar rrjetet kriminale që kontrabandojnë drogë në territorin amerikan. “Ne kemi përdorur fuqinë e ushtrisë për të mbrojtur vendin tonë nga terroristët dhe rrjetet e trafikut të lidhura me Nicolás Maduro”, u shpreh Trump.
Ai paralajmëroi me tone të ashpra se çdo organizatë që tenton të dërgojë drogë në SHBA do të përballet me forca ushtarake të cilat do t’i “zhdukin nga faqja e dheut”. Trump e përshkroi këtë ofensivë si një “luftë të drejtë kundër krimit dhe terrorizmit”.
Fjalimi i Trump vjen vetëm pak javë pas një operacioni ushtarak në Karaibe, ku u vranë 11 persona të dyshuar si pjesë e bandës famëkeqe venezueliane Tren de Aragua. Po ashtu, SHBA kishte njoftuar më herët për një tjetër goditje ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge, e cila sipas autoriteteve kishte lidhje me një organizatë të shpallur terroriste nga Uashingtoni.
Trump u zotua se nuk do të ndalet derisa këto rrjete kriminale të shkatërrohen plotësisht, ndërsa dërgoi një sinjal të qartë se për SHBA-në, kërcënimi nga droga është një çështje e sigurisë kombëtare dhe do të trajtohet me forcë ushtarake kurdo që të jetë e nevojshme.