Presidenti i SHBA Donald Trump ka njoftuar se një nëndetëse që transportonte lëndë narkotike është shkatërruar.

Në një postim në “Instagram” ku ka ndarë dhe pamje nga momenti i operacionit, Trump shkruan se nëndetësja po transportonte drogë drejt Shteteve të Bashkuara në një rrugë tranziti të njohur për trafikim narkotikësh.

Ai bëri me dije se gjatë operacionit humbën jetën dy nga trafikantët, ndërsa dy të tjerët që mbijetuan po riktheheshin në vendet e origjinës që të ndiqen tashmë penalisht.

“Inteligjenca amerikane konfirmoi se kjo anije ishte e ngarkuar kryesisht me Fentanyl dhe narkotikë të tjerë të paligjshëm. Në bordin e anijes ndodheshin katër narko-terroristë të njohur. Dy nga terroristët u vranë. Të paktën 25,000 amerikanë do të vdisnin nëse do ta lejoja këtë nëndetëse të zbriste në breg. Dy terroristët e mbijetuar po kthehen në vendet e tyre të origjinës, Ekuador dhe Kolumbi, për ndalim dhe ndjekje penale. Asnjë forcë amerikane nuk u lëndua në këtë sulm. Nën mbikëqyrjen time, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të tolerojnë narkoterroristët që trafikojnë drogë të paligjshme, nga toka apo nga deti. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, shkroi Trump.