Një 28-vjeçare në Skoci është dënuar me gjashtë vite burg për vdekjen e vajzës së saj vetëm tre muajshe, në një çështje që gjykata e ka përshkruar si jashtëzakonisht të rëndë dhe tronditëse.

Courtney Gartsor u gjet fajtore për vrasje pa dashje pas procesit të zhvilluar në Gjykatën e Lartë në Aberdeen. Rasti lidhet me vdekjen e vajzës së saj, Dalia-Rose, në shtator të vitit 2023 në Peterhead, Aberdeenshire.

Sipas provave të paraqitura gjatë procesit, foshnja ishte ekspozuar për një periudhë ndaj nxehtësisë së prodhuar nga një tharëse flokësh. Ajo pësoi djegie serioze që mbulonin rreth 18% të trupit, përfshirë edhe pjesën e kokës.

Ekipet e emergjencës u thirrën në banesë, por nuk mundën ta shpëtonin të miturën.

Gjatë dhënies së vendimit në Gjykatën e Lartë të Edinburgut, gjyqtari Simon Collins e cilësoi rastin si tragjik dhe tepër shqetësues. Ai tha se 28-vjeçarja do të duhet të përballet gjatë gjithë jetës me faktin se veprimet e saj çuan në vdekjen e së bijës.

Gartsor e ndoqi seancën përmes videolidhjes dhe u shfaq e përlotur gjatë shpalljes së dënimit.

Një nga provat e rëndësishme të paraqitura në gjykatë ishte gjetja e gjurmëve të ADN-së së Dalia-Rose në tharësen e flokëve.

Hetuesit konstatuan gjithashtu se nëna kishte konsumuar alkool përpara ngjarjes. Në telefonatën me shërbimet e emergjencës, ajo kishte treguar se foshnja kishte marrë ngjyrë “vjollcë”, ndërsa pretendonte se vetë kishte qenë duke fjetur.

Mbrojtja deklaroi se Gartsor nuk kujtonte ta kishte përdorur tharësen. Avokati Murray Macara tha se nuk kishte një shpjegim të qartë për përdorimin e saj, por ngriti mundësinë që nëna mund të kishte tentuar ta ngrohte fëmijën.

Gjatë procesit u diskutua gjithashtu nëse djegiet kishin qenë shkaku i drejtpërdrejtë i vdekjes. Eksperti Timothy Burge deklaroi se dëmtimet termike, sipas vlerësimit të tij, nuk e kishin shkaktuar vdekjen dhe se ekzistonte mundësia që foshnja të kishte ndërruar jetë më herët.

Pavarësisht kësaj, juria arriti unanimisht në përfundimin se Gartsor kishte vepruar në mënyrë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme ndaj vajzës, e cila në atë moment ishte plotësisht nën kujdesin e saj. Vendimi i fajësisë u mor pas pak më shumë se një ore diskutimesh.

Pas përfundimit të çështjes, inspektori James Callander tha se rasti kishte lënë gjurmë të thella te personat që morën pjesë në hetim.

Ai theksoi se fëmijët janë ndër personat më të pambrojtur dhe se autoritetet kanë përgjegjësinë të hetojnë plotësisht rastet kur siguria dhe jeta e tyre vihet në rrezik.

Me vendimin e gjykatës, 28-vjeçarja do të vuajë gjashtë vite burg për përgjegjësinë e saj në vdekjen e Dalia-Rose.