Një 48-vjeçar britanik, i fiksuar pas personazhit të famshëm Hannibal Lecter (personazh imagjinar që është psikiatër dhe kanibal), vrau dhe copëtoi fqinjën e tij me një sharrë elektrike.
“Daily Mail” shkruan se pasi rrëfeu krimin makabër, ai vizatoi edhe një hartë, të cilën ua dorëzoi policëve për t’i ndihmuar të gjenin trupin e viktimës.
Është fjala për Karl Hutchings, i cili akuzohet se vrau dhe copëtoi fqinjën e tij, Julie Buckley, pas një grindjeje. Disa ditë më vonë, ai i tregoi një miku se fillimisht e kishte goditur 55-vjeçaren me një çekiç dhe më pas e kishte mbytur, duke pretenduar se “iu deshën 24 orë për të vdekur”.
Sipas prokurores Christine Agnew, autori fliste vazhdimisht për Hannibal Lecter dhe ishte i fiksuar pas personazhit.
“Ai fliste për Hannibal Lecter, duke thënë se ishte i fiksuar pas tij dhe se, nëse do të luhej një shfaqje teatrale, ai do të ishte kandidati ideal për rolin, sepse nuk do të kishte nevojë për prova. Madje tha se mund t’i përsëriste fjalë për fjalë dialogët e personazhit nga filmat”, deklaroi prokurorja.
Ajo shtoi se i pandehuri kishte thënë se “ia kishte mbyllur gojën dhe do ta kishte ngrënë, por nuk donte ta fuste këtë ‘person toksik’ në trupin e tij”. Sipas saj, ai shtoi se atë mbrëmje do ta shijonte me kënaqësi një “darkë me biftek”.
Detajet tronditëse të çështjes u bënë publike gjatë seancës për caktimin e dënimit në Gjykata e Kurorës së Cambridge. 48-vjeçari e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 55-vjeçares dhe është fotografuar nga “Daily Mail” duke mbajtur një maskë në stilin e Hannibal Lecter.
Policia nisi hetimet në mesin e shkurtit të vitit të kaluar, pasi u ngritën shqetësime për sigurinë e Julie Buckley.
Gjatë kontrolleve në banesën e saj në Cambridgeshire, oficerët zbuluan gjurmë gjaku. Hetimet treguan se 55-vjeçarja ishte parë e gjallë për herë të fundit teksa bënte pazar në një supermarket, moment i cili ishte regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë. Carl Hutchings u arrestua më 13 shkurt dhe u akuzua për vrasje, edhe pse në atë kohë trupi i viktimës nuk ishte gjetur.
Më në fund, në shtator të vitit të kaluar, një ditë pasi pranoi se kishte vrarë Julie Buckley, ai u dorëzoi hetuesve një hartë që tregonte vendin ku kishte varrosur trupin e 55-vjeçares.
Sipas provave të paraqitura në gjykatë, Hutchings ndryshoi deklaratën e tij pasi mësoi se gjendja e tij e shëndetit mendor nuk do të merrej parasysh si argument për uljen e përgjegjësisë penale.
Prokurorja Christine Agnew i tha gjykatës se autori i krimit, Carl Hutchings, u kishte rrëfyer miqve të tij detaje tronditëse të vrasjes.
“Ai tha se e kishte goditur me çekiç dhe më pas e kishte mbytur. Pretendoi se viktimës iu deshën 24 orë për të vdekur, sepse nuk po vdiste. Më pas tha se e kishte copëtuar në 27 pjesë dhe se e kishte varrosur të nesërmen. Shtoi se kjo kishte qenë ëndrra e jetës së tij dhe se ndjesia ishte si drogë, por se nuk do të bëhej kurrë i varur prej saj”, deklaroi prokurorja.
Sipas saj, Hutchings i kishte thënë gjithashtu një miku:
“Nëse do që të vras dikë, mund ta bëj për ty.”
Duke shpjeguar motivin e sulmit ndaj fqinjës së tij, prokurorja tha:
“Ajo nuk pranonte t’i jepte ilaçet me recetë dhe e provokonte duke i marrë para syve të tij, pa i dhënë asgjë.”
Pas krimit, Hutchings shiti makinën e Julie Buckley për 585 euro dhe përdori kartën e saj bankare për të blerë alkool, si edhe për të tërhequr para nga llogaria e saj. Ai u arrestua më 25 shkurt dhe gjatë marrjes në pyetje pretendoi se vuante nga skizofrenia dhe kishte probleme me frymëmarrjen. Kur u pyet nëse e dinte arsyen e arrestimit, ai u përgjigj:
“E kuptoj, por nuk e kuptoj pse.”
Policia gjeti njolla gjaku në divanin e banesës së Julie Buckley, si dhe në lavaman. Në kopsht u zbuluan copa të djegura të qilimit që mungonin nga dhoma e ndenjjes, së bashku me disa rroba.
Sharra elektrike e përdorur në krim u gjet në një kanal nga një baba dhe djali i tij, të cilët kishin dalë për peshkim. Në dorezën e saj u identifikuan gjurmë të ADN-së së viktimës. Autopsia zbuloi se Julie Buckley kishte pësuar plagë të shkaktuara nga një mjet me teh në kafkë, si dhe fraktura të shumta, përfshirë në brinjë, hundë dhe dorën e majtë.
“Pasi vrau Julie Buckley-n, ai e zhveshi, e copëtoi dhe e varrosi në një varr të cekët”, deklaroi prokurorja Christine Agnew.





