Katër presidentë amerikanë kanë fituar deri më tani Çmimin Nobel për paqen, që duket se edhe Donald Trump e dëshiron shumë.

Ky çmim prestigjioz është diskutuar disa herë, së fundmi nga vetë ekipi i Trump, shpesh nga baza e tij “MAGA” dhe sigurisht, nga ata që duan favore, siç janë udhëheqësit e vendeve të ndryshme, Pakistanit, Izraelit, Ukraina e së fundmi madje dhe Rusia.

Por cila është arsyeja që Trump do kaq shumë ta fitojë këtë çmim, madje duke u shfaqur si i fiksuar pas këtij vlerësimi?

Sipas analistëve politikë të huaj, një arsye e fortë është një rivalitet i vjetër që Trump ka me ish-presidentin amerikan Barac Obama.

Obama e fitoi Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2009, për “përpjekjet e tij të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin midis popujve”. Ashtu siç sot ka shumë zëra kundër Trump, edhe fitorja e Obamës ngjalli polemika, për shkak se në atë kohë SHBA u përfshi në shumë konflikte të armatosura.  Për këtë arsye, Trump mendon se nëse Obama e fitoi, ai ka më shumë mundësi dhe duhet ta marrë me patjetër.

Përveç Obamës, presidentët amerikanë që e kanë fituar këtë çmim janë Theodore Roosevelt, Woodrow Wilson dhe Jimmy Carter.

Kjo “ego personale” madje e ka shtyrë Trump të listojë një sërë luftrash duke pretenduar se ndërhyrja e tij ka sjellë fundin e tyre. Mes konflikteve të përmendura janë ato mes Indisë dhe Pakistanit, Kamboxhia-Tajlanda, Egjipti-Etiopia, Ruanda-Republika Demokratike e Kongos dhe Serbi-Kosova. Për këtë të fundit, ngrihen dyshime të forta.

Trump madje është bërë viral për ngatërresat e tij, teksa i referohej konfliktit mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilin po ashtu pretendon se e zgjidhi ai. Ai ngatërroi Armeninë me Shqipërinë në plot 3 raste, ndërsa vijoi të përmende gabim emrin e Azerbajxhanit.

Trump përmend si arritje edhe armëpushimin mes Izraelit dhe Palestinës, edhe pse pas njoftimit të lajmit, Izraeli kreu një tjetër sulm në Gaza. Ndërkohë, sa i përket konfliktit Ukrainë- Rusi, që ai kishte premtuar se do e zgjidhte për 24 orë, Trump ka pranuar dështimin, duke thënë se situata është më e komplikuar se sa dukej.