Duket se presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të bëjë një hap pas në lidhje me tarifat 50%, që pritej të caktonte ndaj mallrave europiane.

Trump ka njoftuar se ky vendim do të pezullohet deri më 9 korrik, pas negociatave me liderët e BE dhe kryesisht presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Von der Leyen, publikon një mesazh në platformën “X”, duke thënë se telefonata e zhvilluar me Trump ishte “e shkëlqyer”.

“Telefonatë e shkëlqyer me presidentin Trump. BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë marrëdhëniet tregtare më të rëndësishme dhe më të ngushta në botë. Evropa është e gatshme të çojë përpara bisedimet në mënyrë të shpejtë dhe të vendosur. Për të arritur një marrëveshje të mirë, kemi nevojë për kohën e nevojshme deri më 9 korrik”– shkruan ajo.

Disa orë më vonë, në rrjetin social “Truth”, Trump tha se kishte pranuar shtyrjen e vendosjes së tarifave, duke e konsideruar këtë si “privilegj” për të.

“Kam marrë një telefonatë shumë miqësore nga Von der Leyen, që më kërkoi një shtyrje të afatit të 1 qershorit për tarifat 50% në lidhje me tregtinë dhe Bashkimin Europian. I thashë po për shtyrjen, e cila është caktuar për më 9 korrik 2025. Ishte një privilegj për mua ta bëja këtë. Ekipet negociatore do të mblidhen shpejt për të parë nëse mund të gjendet një zgjidhje.”- njoftoi Trump.

Kur negociatat midis Brukselit dhe Uashingtonit ishin në ngërç, Trump kishte kërcënuar me tarifa të përgjithshme kundër produkteve europiane në masën 50%. Një kërcënim që, të premten, shkaktoi panik mes investitorëve europianë, duke djegur në fund 183 miliardë euro. Sot, pas vendimit të presidentit amerikan për të ngrirë tarifat, tregjet bursiere botërore mund të marrin frymë lirisht.