Robert Mueller, ish-drejtori i FBI-së dhe udhëheqësi i një hetimi politik shumë të ndjeshëm ndaj Donald Trump, ka vdekur në moshën 81-vjeçare. Lajmi për vdekjen e tij u raportua nga mediat amerikane, duke cituar një deklaratë familjare, pa dhënë vendin apo shkakun e ndarjes nga jeta.

Komenti i Presidentit Donald Trump nuk vonoi, duke shkruar në platformën e tij Truth Social: “Robert Mueller sapo vdiq. Mirë, jam i lumtur që vdiq. Nuk mund të dëmtojë më njerëz të pafajshëm”.

Mueller shërbeu si drejtori i FBI-së për 12 vite, duke nisur pak para sulmeve të 11 shtatorit 2001 ndaj Shteteve të Bashkuara dhe gjatë mandatit të tij forcoi ndjeshëm misionin e zbulimit dhe kundërterrorizmit të agjencisë. Pas largimit nga FBI, ai u emërua si këshilltar special i Departamentit të Drejtësisë për të hetuar nëse fushata presidenciale e Trump kishte kompromentuar zgjedhjet përmes marrëveshjes me Rusinë.

Hetimi i Mueller-it, i nisur në 2017 dhe zhvilluar kryesisht në mënyrë të fshehtë për dy vjet, kulmoi në korrik 2019 me dëshminë e tij para Kongresit. Gjatë dëshmisë, Mueller u shfaq si një prokuror i kujdesshëm që shmangu pyetje provokuese nga ligjvënësit, duke u referuar vazhdimisht raportit të tij voluminoz. Ai theksoi se raporti nuk e çlironte Trump, por shmangu përgjigjet që mund t’i shërbenin interesave politike të palëve.