Një ngjarje e rëndë ka tronditur Luizianën në Shtetet e Bashkuara, ku një nënë 28-vjeçare është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen e vajzës së saj 1-vjeçare. Sipas autoriteteve lokale, Kristen Bass dyshohet se ka qëlluar për vdekje fëmijën e saj më 1 janar në banesën familjare në qytetin Sulphur.

Policia u thirr në vendngjarje rreth orës 20:21 të mbrëmjes, pas raportimit për të shtëna me armë zjarri. Kur efektivët mbërritën, gjetën fëmijën të pajetë. Vajza e mitur u identifikua si Acelynn Moss. Në lidhje me ngjarjen, nëna e saj u vu menjëherë në pranga dhe ndaj saj u ngrit akuza për vrasje të shkallës së parë. Ajo po mbahet në paraburgim me një garanci prej 10 milionë dollarësh.

Babai i fëmijës, Bradley Moss, ka deklaruar për mediat lokale se ka dëgjuar një zhurmë të fortë dhe ka vrapuar drejt dhomës, ku gjeti vajzën e qëlluar dhe nënën e saj duke mbajtur armën në dorë. Në dhomë ndodhej edhe vajza tjetër e çiftit, 2 vjeçe, e cila po qante dhe kërkonte ndihmë.

Sipas dëshmisë së babait, nëna i kishte thënë se e kishte qëlluar vajzën për ta dërguar te Zoti dhe kishte lënë të kuptohej se kishte ndërmend të qëllonte edhe fëmijën tjetër. Vajza e dytë fatmirësisht nuk u lëndua. Autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes dhe gjendjen mendore të të dyshuarës.