Një gjykatë në Britania e Madhe ka dënuar me burgim të përjetshëm një 40-vjeçar që i vuri zjarrin një banese në një akt hakmarrjeje, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe tre fëmijëve të saj të vegjël.
Sipas raportimeve të BBC, autori i krimit, Sharaz Ali, u shpall fajtor për vrasjen e 29-vjeçares Bryonie Gawith dhe tre fëmijëve të saj: Denisty Gawith (9 vjeçe), Oscar Gawith (5 vjeç) dhe Aubree Birtle (22 muajshe). Të katërt humbën jetën pasi shtëpia ku jetonin u përfshi nga flakët.
Ngjarja e rëndë ndodhi në vitin 2024 në qytetin Bradford. Sipas gjykatës, Ali kishte planifikuar sulmin pasi ish-partnerja e tij, Antonia Gawith, kishte vendosur t’i jepte fund lidhjes me të.
Prokuroria bëri të ditur se ai shkoi në banesë së bashku me një bashkëpunëtor, Calum Sunderland, 27 vjeç. Ky i fundit theu derën e përparme të shtëpisë, duke i hapur rrugë Aliut që të hynte brenda.
Brenda banesës, Ali hodhi benzinë mbi ish-partneren e tij me qëllim që ta digjte të gjallë, por ajo arriti të arratisej në momentet e fundit. Më pas ai i vuri zjarrin shtëpisë, pa marrë parasysh se në të ndodheshin edhe motra e saj dhe tre fëmijët e vegjël, të cilët mbetën të bllokuar ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi.
Gjatë gjyqit, gjyqtari theksoi se sulmi ishte i mirëplanifikuar dhe se i pandehuri kishte treguar një mungesë të plotë ndjeshmërie për jetën e fëmijëve, duke i konsideruar ata si “dëme anësore të pranueshme” në planin e tij për hakmarrje.
Për këtë krim të rëndë, gjykata vendosi ndaj Aliut burgim të përjetshëm pa të drejtë lirimi. Ndërkohë, bashkëpunëtori i tij Sunderland u shpall fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe u dënua gjithashtu me burgim të përjetshëm, me një periudhë minimale prej 18 vitesh para se të mund të kërkojë lirimin me kusht.
Në deklaratën e saj para gjykatës, Antonia Gawith tha se jeton çdo ditë me dhimbjen e humbjes së motrës dhe tre fëmijëve, duke theksuar se asnjë vendim gjykate nuk mund ta kthejë mbrapsht familjen që humbi në atë natë tragjike.
