Vetëm pak orë pas emërimit të tij, kryeministri i ri i Francës, Sébastien Lecornu, ka dorëzuar dorëheqjen, duke shkaktuar një krizë të re politike në vend.
Presidenti Emmanuel Macron e ka pranuar menjëherë dorëheqjen, duke mbetur sërish pa një kryeministër funksional, ndërsa mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave ishte planifikuar për më 6 tetor.
Lecornu, 39 vjeç, ish-ministër i Mbrojtjes, u emërua më 9 shtator në përpjekje për të krijuar një qeveri kompromisi pas rrëzimit të François Bayrou. Por përplasjet me partitë e tjera, veçanërisht për çështje si reforma e pensioneve dhe taksa mbi pasurinë, e bënë të pamundur ndërtimin e një shumice.
Në një deklaratë publike, Lecornu tha se kishte tentuar të ndërtonte ura bashkëpunimi, por palët politike refuzuan të lëviznin nga pozicionet e tyre.
“Komunikimi ndërpartiak kërkon përulësi dhe më pak ego. Fatkeqësisht, kjo mungoi”, u shpreh ai.
Tani presidenti Macron përballet me tre mundësi: emërimin e një kryeministri të ri, shpërndarjen e parlamentit ose shpalljen e zgjedhjeve presidenciale të parakohshme një skenar i rrallë dhe ekstrem.
Nga ana e saj, liderja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen e quajti situatën “një farsë” dhe i bëri thirrje Macron-it të kthehet te populli përmes zgjedhjeve të reja.